Dy vëllezërit dhe reperët e njohur, Mozzik dhe Getinjo, kanë ndarë sot me ndjekësit një lajm të dhimbshëm, duke njoftuar ndarjen nga jeta të gjyshit të tyre, Bafti Hetemi (babai i nënës).
Kjo humbje vjen pas një beteje të vështirë shëndetësore, pasi vetëm pak ditë më parë, artistët kishin bërë të ditur se gjyshi i tyre ndodhej në gjendje të rëndë në spital pas një sulmi në kokë që e kishte lënë të paralizuar, duke kërkuar asokohe edhe lutjet e fansave për shërimin e tij.
Mozzik zgjodhi një foto të vjetër për t’i dhënë lamtumirën, duke e cilësuar atë si njeri të urtë dhe të pastër. Ai shkroi fjalët prekëse: “Lamtumirë gjyshi jem… t’fala dajës Muzafer dhe dajës Burim. Thuaju se i kujtojmë, i duam dhe s’i harrojmë kurrë”, duke kujtuar kështu edhe dajat e tij të ndjerë.

Nga ana tjetër, Getinjo ndau një imazh të fundit nga spitali duke i mbajtur dorën gjyshit, i cili shoqërohej me dedikimin: “Ndërroi jetë babgjyshi. Allahu e mëshiroftë. Gjyshërit na i këpusin shpirtin.”

Menjëherë pas njoftimit, rrjetet e tyre sociale janë mbushur me mesazhe të shumta ngushëllimi nga ndjekësit dhe kolegët e skenës.

