Tuesday, April 8, 2025
Gëzuar Kosovë! Sot shënohet 17-vjetori i Pavarësisë

Gëzuar Kosovë! Sot shënohet 17-vjetori i Pavarësisë

17-vjetori i pavarësisë e gjen Kosovën si shtet të njohur nga rreth 117 vende të botës

Kosova shënon sot 17-vjetorin e pavarësisë së saj, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.

Një sërë organizimesh, nga mbledhja festive e Qeverisë së vendit, deri te parakalimi i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, priten gjatë ditës, për nder të këtij përvjetori.

Kosova është e sapodalë nga një proces zgjedhor dhe është në pritje të formimit të institucioneve të reja. Fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit doli Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit aktual, Albin Kurti, por pa siguruar shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh për ta formuar qeverinë e vetme. Një ditë më herët, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka pranuar një mesazh urimi për përvjetorin e pavarësisë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Aty thuhet se Trump “përgëzon popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë” dhe vë në pah “qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces”.

“Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe me padurim presim që t’i zgjerojmë ato, veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime, me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona”, thuhet mes tjerash në letër.

Qeveria e Kurtit, viteve të fundit, është kritikuar nga zyrtarët amerikanë, për shkak të disa hapave të cilësuar si të pakoordinuar kundrejt komunitetit serb. Autoritetet e Kosovës, përveç tjerash, kanë hequr nga përdorimi dinarin serb dhe kanë mbyllur shumicën e institucioneve të Serbisë, prej të cilave serbët kanë marrë shërbime të ndryshme.

Qeveria i ka justifikuar këto veprime si shtrirje të autoritetit të saj dhe në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Por, për shkak të tyre, edhe Bashkimi Evropian ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese kundër Kosovës, duke i pezulluar disa fonde dhe takime të nivelit të lartë. 17-vjetori i pavarësisë e gjen Kosovën si shtet të njohur nga rreth 117 vende të botës.

Vendi është pjesë e disa organizatave ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Por, nuk është ende në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës etj./ Rel

Aktualitet

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *